Kur premtimi i fitimeve të mëdha kthehet në makth: Mashtrimet e TXEX, Xuexa dhe Grokr
Një mëngjes i zakonshëm. Në telefon të vjen një mesazh nga një numër i panjohur: “Përshëndetje, ne jemi një grup investimi shumë fitimprurës. Profesorët tanë do t’ju udhëheqin në çdo hap. Hyr pa pagesë dhe fito deri në 30% në javë.”
Në pamje të parë, duket si një mundësi e artë. Por, në prapaskenë, është vetëm fillimi i një tatëpjete marramendëse që mund të të zbrazë kursimet, të të vjedhë identitetin dhe të të lërë me ndjesinë e hidhur të të qënit i përdorur.
Tre emra janë duke qarkulluar gjithnjë e më shumë mes paralajmërimeve ndërkombëtare: TXEX, Xuexa dhe Grokr. Secili prej tyre paraqitet me fasadën e një platforme moderne investimi, por pas perdeve fshihet një skemë klasike mashtrimi, e përshtatur me teknologjinë e kohës sonë.
TXEX – Akademia e rreme e “profesorëve” në WhatsApp
Skema TXEX është zbuluar në Zelandën e Re, por shënjestra e saj mund të jetë kudo. Edhe në Shqipëri, siç raportohet të ketë ndodhur kohët e fundit në zonën e Lushnjes e Divjakës, por jo vetëm. Ajo fillon në një mënyrë “të pafajshme”: një ftesë në WhatsApp. Brenda grupit, gjithçka duket profesionale – tabela me grafiqe të ndryshme (që s’thonë asgjë), “asistentë” që të të përgjigjen menjëherë, madje edhe “profesorë” të gatshëm të të japin udhëzime financiare.
Strategjia është e thjeshtë dhe njëkohësisht e rrezikshme: fillimisht të mundësojnë të fitosh diçka të vogël, madje edhe të tërheqësh një shumë modeste. Duhet, për të ndërtuar besim. Pastaj, të nxisin të investosh më shumë, e pastaj edhe më shumë. Në një moment, të kërkojnë të instalosh aplikacione që u japin atyre akses në telefonin tënd – duke e kthyer çdo mesazh, çdo fjalëkalim dhe çdo dokument në pronë të mashtruesve.
Kur përpiqesh të tërheqësh paratë, nisin pretekstet: duhet të paguash taksa, komisione, tarifa shërbimi. Dhe kur edhe këto i paguan, kupton se dera është mbyllur përgjithmonë.
Xuexa – Iluzioni i tregtisë “sekrete” në Telegram
Historia e Xuexa (ose XUEX) është një shembull tipik i mashtrimit me kriptovaluta. Viktimat ftohen në një grup Telegrami, ku një “mik” apo “mentori” i tyre i udhëzon të klikojnë në orare të caktuara, duke bërë sikur po vënë në zbatim një strategji të sofistikuar tregtare.
Në pamje të parë, gjithçka duket e besueshme: platforma shfaq grafiqe, tregues të ndryshëm të ilustruar me shifra, çmime që ulen e ngrihen. Por në detaje fshihet absurdi – kriptomonedha të mëdha si Monero shfaqen me çmime të sajuara, shumë më të ulëta se tregu real. Fitimet fillojnë të shfaqen në ekran, por për t’i marrë duhet të paguash një “komision” prej 5% ose edhe 20%. Ky është momenti kur rrjeti nis edhe shtrëngohet: viktima, duke besuar se do të marrë fitimet e premtuara, hedh edhe më shumë para… që të gjitha më pas zhduken pa gjurmë.
E vetmja gjë reale tek Xuexa është humbja e kursimeve.
Grokr – Një “bursë” që nuk ekziston
Grokr paraqitet si një shkëmbim modern kriptomonedhash. Ka një faqe që duket profesionale, madje edhe një “monedhë” të vetën, Grokrcoin. Por i mungon diçka themelore: licenca. Asnjë autoritet serioz financiar nuk e njeh, nuk e mbikëqyr dhe nuk e garanton.
Ekspertët e industrisë paralajmërojnë: kjo është një bursë fantazmë, një fasadë që ekziston vetëm për të joshur njerëz. Disa përdorues thonë se kanë parë fitime në ekrane, por kur kërkuan t’i tërhiqnin, llogaritë e tyre u bllokuan.
Në thelb, Grokr është një tjetër pasqyrë që reflekton dëshirën për t’u pasuruar shpejt – dhe që përfundon duke i varfëruar ata që i besojnë.
Pse njerëzit bien pre?
Psikologjia në themel të këtyre mashtrimeve është universale. Ato nuk shfrytëzojnë thjesht paditurinë financiare, por edhe emocionet: Etja për fitime të shpejta në një botë të pasigurt ekonomike. Frika se mos humbet një mundësi që “të tjerët po e shfrytëzojnë.” Besimi tek autoriteti fals – një “profesor” me tituj, një “platformë” që duket profesionale.
Si të mbrohesh?
Mos e fillo fare bisedën: asnjë kompani serioze nuk të fton në WhatsApp apo Telegram për të bërë investime. Kontrollo gjithmonë licencën: nëse një platformë nuk është e rregulluar nga autoritete si SEC, FCA, ose një organ i besueshëm (Banka e Shqipërisë, Autoriteti Mbikëqyrës Financiar) – mos i beso.
Asnjëherë mos jep akses në telefonin tënd celular: është sikur t’i dorëzosh çelësat e shtëpisë një të panjohuri. Nëse kërkohet pagesë për tërheqje, largohu menjëherë. Është sinjali më i pagabueshëm se je përballë një mashtrimi.
TXEX, Xuexa dhe Grokr janë vetëm tre shembuj nga një oqean mashtrimesh që ndryshojnë emra, logo dhe forma, por kanë gjithmonë të njëjtin modus operandi: të bëjnë të ndihesh i zgjuar, ndërsa në heshtje të zbrazin llogarinë bankare.
Dhe nuk duhet asnjëherë këshilla që e thonë të gjithë ekspertët e financave (ata të vërtetët): “Nëse diçka duket shumë e mirë për të qenë e vërtetë, zakonisht nuk është.” / bota.al

Protestat antiemigracion në Londër, 110 mijë vetë në shesh, Elon Musk: Fenomeni jashtë kontrollit
Një protestë masive e organizuar nga aktivisti i ekstremit të djathtë, Tommy Robinson, përfundoi me dhunë në qendër të Londrës. Demonstruesit, duke......

Firmat piramidale online, policia operacion në 5 qytete, bllokohen 6 llogari në kriptomonedha
Policia dhe Prokuroria e Fierit kanë goditur skemat piramidale online në Shqipëri, duke finalizuar me arrestimin e 6 personave dhe shpalljen në kërkim të 2......

Treni elektrik Durrës-Rrogozhinë/ Balluku: Qeveria ratifikoi marrëveshjen e grantit të BE-së!
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherësh zv.kryeministre Belinda Balluku njoftoi sot përmes rrjeteve sociale se qeveria shqiptare ka ratifikuar......

Varësia e Evropës nga bateritë koreane - 75% e kapacitetit prodhues realizohet nga firmat aziatike
Evropa mbështetet gjerësisht te kompanitë koreane për prodhimin e baterive të automjeteve elektrike. Sipas të dhënave, rreth 75% e kapacitetit prodhues në......

Kuotat dhe përqëndrimet e tregut - Autoriteti i Konkurrencës dhe QKB, mekanizëm informimi për të shmangur shkeljet
Në kuadër të rritjes së transparencës dhe ndërgjegjësimit të bizneseve, Autoriteti i Konkurrencës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Biznesit, kanë......

Ukraina, prodhim armësh me SHBA dhe Gjermaninë - Kievi kërkon mbështetjen e partnerëve për të zgjeruar industrinë vendase
Ukraina u ka kërkuar partnerëve perëndimorë mbështetje për zgjerimin e industrisë vendase të prodhimit të armëve. Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara kanë......

Pezullimi i Dialogut Strategjik me SHBA, reagon biznesi - “Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, jetike për Kosovën”
Dhoma e Tregtisë dhe Oda Ekonomike e Kosovës shprehën shqetësim për pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara. Institucionet kërkojnë......

Bypass-i i Tiranës, lidhet kontrata e dytë - Ndërtimi i 8.5 km nga Kashari në Vaqarr do kushtojë 5.9 mld lekë
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka firmosur kontratën për lotin II të bypass-it të Tiranës, duke i hapur rrugë nisjes të punimeve. Marrëveshja është nënshkruar me......