Analiza Postuar më 27 Gusht 2024, 11:32

Kthesa e madhe me arbitrazhin ndërkombëtar! Shteti shmangu gjoba dhe humbje në nivel 208 milionë euro

Nga Fatos Çoçoli

Kthesa e madhe me arbitrazhin ndërkombëtar! Shteti shmangu gjoba dhe

Në tre muaj, shteti shqiptar fiton tre gjyqe të rëndësishme ndërkombëtare. imazhit të një shteti, që në shtatë gjyqe humb gjashtë, i erdhi fundi.  Merr fund perceptimi i Shqipërisë si një shtet i dobët në arbitrazhin ndërkombëtar, i cili humb në masë gjyqe, për shkak të ankesave të kompanive të huaja. Në tre muajt e fundit qershor-gusht 2024, shteti ynë arrin të fitojë tre gjyqe të rëndësishme në arbitrazhin ndërkombetar, duke i kursyer vendit mbi 150 milionë euro në gjoba dhe dëmshpërblime. Shteti ynë ndodhet po ashtu në pritje të marrë rreth 58 milionë euro, që i takojnë si 50 përqind, gjysma e fitimit të një kompanie të huaj prodhimi dhe tregtimi nafte, e cila zhvillon aktivitet tek ne, fitim ky i fshehur, përmes shpenzimeve të fryra qëllimisht nga ana e kompanisë, për të deklaruar humbje financiare  çdo vit. Më shumë se sa shmangja e gjobave dhe të ardhurat e mundshme të ligjshme në Arkën e Shtetit nga këto gjyqe, kemi fituar në imazh.

Në imazh tashmë të një vendi që respekton ligjet ndërkombëtare të biznesit dhe ka legjislacion të brendshëm që nuk shkon kundër normave ndërkombëtare të të bërit biznes. Imazhit të një shteti, që në shtatë gjyqe humb gjashtë, i erdhi fundi. Po ashtu mori fund dhe perceptimi i Shqiperise si nje shtet i dobet ne fushen e te drejtes nderkombetare tregtare, i cili humb ne mase gjyqe te arbitrazhit nderkombetar, per shkak te ankesave te kompanive te huaja tregtare qe zhvillojne ose kane provuar te zhvillojne aktivitet ne territorin e saj.

Gjyqet e fituara në muajt qershor-gusht 2024 - Gjyqi me Bankers Petroleum në arbitrazh ICC Paris (qershor 2024) - Gjyqi me Kurum Shiping në arbitrazh ICSID, pjesë e grupit të Bankës Botërore(korrik 2024) - Gjyqi me austriaken IVICOM Holding GmbH, në arbitrazh Dhoma e Tregtisë së Stokholmit SCC (gusht 2024)  

Pretendimet e kompanive që na hodhën në gjyq -  Bankers Petroleum: Të njihen shpenzimet 236 mln USD -   Kurum Shiping: Dëmshpërblim 100 mln USD -  IVICOM Holding GmbH: Dëmshpërblim 50 mln euro  

Gjyqi i fituar me Bankers Petroleum-nga çështjet më të rëndësishme ligjore Në qershor 2024, një çështje shumë e rëndësishme u fitua nga shteti shqiptar në gjykatën ndërkombëtare që vepron nën Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), me seli në Paris. Gjykata në qershor dha vendimin përfundimtar për mosmarrëveshjen e ngritur nga Bankers Petroleum kundër Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë  dhe Albpetrol. Kompania Bankers Petroleum kishte kërkuar në arbitrazhin ndërkombëtar  që t’i njihen si shpenzime 236 milionë dollarë amerikanë, të refuzuar si të tilla nga shteti shqiptar. Kompania e huaj pretendonte se kjo shumë përfaqësonte shpenzime të justifikuara, nga aktiviteti i prodhimit të naftës në fushën e Patos-Marinzës, përmes procedurës së rikuperimit të kostove.

Gjykata e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC) me seli në Paris u shpreh se kostot e pretenduara nga Bankers janë refuzuar dhe deklaruar të parikuperueshme. Pas këtij vendimi në favor të Shqipërisë, tanimë Bankers Petroleum duhet të paguajë tatim mbi fitimin për aktivitetin e saj. Dhe në rastin e kontratave të hidrokarbureve siç është me kompaninë Bankers Petroleum, Tatimi mbi Fitimin nuk është 15 perqind, por 50 përqind. Pra, mbi shumën 236 mln USD të shpenzimeve të pretenduara, do të bëhet një verifikim se sa janë kosto reale. Do të zbriten këto kosto reale dhe më pas, do të nxirret fitimi neto i kompanisë, i cili, nga disa përllogaritje paraprake, mund të jetë edhe 116 milionë USD. Nga ky fitim që do të përllogaritet me procedura strikte ligjore, lind, sipas kontratës, detyrimi i Bankers Petroleum per t’i dhene gjysmën e këtij fitimi shtetit shqiptar, i cili duhet të arkëtohet në Buxhetin tonë të Shtetit.

Në të gjitha vitet e shfrytëzimit të naftës shqiptare 2007-2023, Bankers Petroleum ka pretenduar se ka dalë gjithnjë me humbje. Madje, edhe në vitet 2010-2011, kur nafta në bursat ndërkombëtare tregtohej me shifrën e lartë rekord 124 USD për fuçi. Kjo nuk ka llogjikë ekonomike. Gjykata e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC) konkludoi po ashtu se nuk mund të pretendoheshin as kostot e kundërshtuara që ishin bërë, të tilla si investimet në marrëdhëniet me komunitetin, te cilat janë fryrë qëllimisht, ose pagesat për qiratë e tokës. Marrëveshja me kompaninë Bankers është lidhur në vitin 2004, me jetëgjatësi 25 vjeçare. Rëndësia më e madhe e vendimit të arbitrazhit ndërkombëtar për gjyqin me Bankers Petroleum qëndron në mesazhin e fuqishëm se me shtetin shqiptar nuk mund të luhet më në investimet e huaja për pasuritë e nëntokës, sikurse, për fat të keq, ka ndodhur rëndom, në të kaluarën. Detyrimet ndaj tij duhet të paguhen të gjitha.

Gjyqi për koncesionin mbi terminalin e konteinerëve në Portin e Durrësit Me një vendim të datës 26 korrik 2024, trupa gjykuese ICSID, pjesë e grupit të Bankës Botërore vendosi të rrëzojë pretendimet e palës paditëse, kompanisë “Durrës Kurum Shipping Shpk.”, ndaj shtetit shqiptar. Gjykata ndërkombëtare vendosi se vendimet e gjykatave shqiptare, që kanë rrëzuar pretendimet e Durrës Kurum Shipping Shpk. qëndrojnë, pasi këto gjykata ishin të pranuara si kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshje, që në kontratën dypalëshe të investimit, të lidhur mes palëve. Pretendimet e Durrës Kurum Shpk. lidheshin me ndërprerjen e koncesionit mbi terminalin e konteinerëve në Portin e Durrësit. Kompania paditëse, e përfaqësuar nga kompanitë “Durrës Container Terminal sha.”, “Metal Commodities Foreign Trade Corp.” dhe “Altberg Developments LP”, kërkonte dëmshpërblim në shuma që tejkalonin vlerën e 100 milionë dollarëve amerikanë, për mbylljen e parakohshme të koncesionit që duhet të zgjaste 30 vjet, por që mbeti aktiv vetëm 9 vite. Në vitin 2011, Durrës Kurum Shipping fitoi kontratën koncesionare për menaxhimin e terminalit të konteinerëve në Portin e Durrësit. Për shkak të mospërmbushjes së kushteve kontraktuale nga kompania e huaj, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e anulloi kontratën në vitin 2017, duke hapur çështje gjyqësore pranë Gjykatës Administrative dhe asaj të Apelit. Më vonë, si Gjykata Administrative dhe ajo e Apelit konfirmuan me vendimet e tyre, të drejtën e Ministrisë se Infrastrukturës dhe Energjisë për zgjidhjen e kontratës.

Gjyqi i fituar në Stokholm ndaj një kompanie austriake

Në dhjetor 2021, kompania austriake IVICOM Holding GmbH nisi një arbitrazh ndërkombëtar kundër Republikës së Shqipërisë pranë Institutit të Arbitrazhit të Dhomës së Tregtisë së Stokholmit (SCC), bazuar në Traktatin e Kartës së Energjisë (ECT), i cili mbron investimet e huaja në sektorin e energjisë. Pretendimi i kësaj kompanie ishte se Shqipëria, përmes vendimeve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kishte ndërmarrë veprime diskriminuese, duke shpronësuar investitorin IVICOM Holding GmbH dhe duke i shkaktuar një dëm të vlerësuar fillimisht prej 50 milionë eurosh. Investimi parashikonte ndërtimin dhe zhvillimin e një termocentrali me turbina me gaz me cikël të kombinuar 500 MW, pranë qytetit të Korçës. Më 26 qershor 2024(vendimi u bë i njohur në gusht 2024), Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, me seli në Stokholm, vendosi që Republika e Shqipërisë nuk kishte shkelur asnjë rregull të Traktatit të Energjisë (ECT) dhe hodhi poshtë tërësisht pretendimet e kompanisë IVICOM.

Gjykata e Arbitrazhit hodhi poshtë në veçanti pretendimin e kompanisë austriake se projekti i termocentralit me gaz konsiderohej praktikisht “i miratuar”, që në momentin kur IVICOM mori statusin e investitorit strategjik dhe se ky status në vetvete krijonte pritshmëritë legjitime për një investitor, që projekti i tij do të miratohet. Vendimi i Arbitrazhit theksoi diskrecionin e shtetit për të vendosur për projektet e mëdha infrastrukturore, duke hedhur poshtë pretendimin e IVICOM Holding GmbH, se shteti shqiptar keqpërdori diskrecionin e tij, për shkak të preferencave dhe lidhjeve politike. Të tria vendimet e gjykatave ndërkombëtare për të drejtat e biznesit përfocuan jo vetëm imazhin, por edhe autoritetin e shtetit shqiptar, si një shtet serioz, me struktura bashkëpunuese ndaj kompanive të huaja. Në të tria rastet, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u përfaqësua në gjyq, e ndihmuar nga kompani të huaja të njohura të konsulencës ndërkombëtare. Kjo përforcoi paraqitjen profesionale të argumentave të shtetit shqiptar.

Mësimi i jashtëzakonshëm që nxirret nga këto tre gjyqe është që të mos flemë mbi dafina, por strukturat tona shtetërore, të cilat bashkëpunojnë me kompanitë e huaja investuese tek ne, të tregohen shumë të kujdesshme. Ato duhet të mbajnë shënim e të kërkojnë vërtetime për çdo veprim me këto kompani, pasi, në rastin kur kompania e huaj ka ankesa, shumë shpejt një veprim mirëdashës ndaj saj, por jo mirë i bazuar dhe i dokumentuar, mund të kthehet në dëm të interesave të shtetit shqiptar.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat